Transportuesi më i madh ajror i Kanadasë, Air Canada, është vënë në kritika pasi një punonjes e ka detyruar një vajzë 12-vjeçare që të hiqte shaminë e saj për “arsye sigurie”. Incidenti ka ngjallur reagime të mëdha në mediat sociale.
Punonjësi i Air Canada i cili u identifikua si menaxher fluturimi, tërhoqi në një cep të miturën Fatima Abdelrahman, një sportiste muslimane me banim në SHBA, dhe e detyroi atë të heqë shaminë gjatë fluturimit të ekipit të saj për në Toronto nga San Francisko.
“Personi te porta më kërkoi të hiqja shaminë time, edhe pse unë tashmë kisha kaluar ndalesat e sigurisë dhe ata kishin kontrolluar pasaportën time”, u tha Abdelrahman mediave kanadeze.
Ajo kërkoi të kontrollohej në një dhomë të zbrazët pasi stafi këmbënguli të hiqte shaminë e saj, por në vend të saj ata e dërguan në një qoshe dhe e detyruan që “shpejt të heq shaminë e saj”.
Incidenti doli në pah vetëm pasi motra e saj Sabreen Abdelrahman shkroi për incidentin në mediat sociale.
Pasi incidenti u bë viral, përdoruesit e mediave sociale ndanë mesazhe mbështetjeje për sportisten, duke e akuzuar kompaninë ajrore kanadeze se po paragjykone, ndërsa kompania u përpoq të kërkonte falje përmes një përgjigjeje në Twitter.