Tē enjten, më 29.04.202, në ambient të hapur, në Kalanë e qytetit të Kërçovës, nën udhëheqjen e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në organizimin e Myftinisë së Kërçovës, u realizua Akademia Solemne me rastin e Ditës së Bedrit.
Duke ruajtur distancën fizike, në një ambient të hapur, me një prezencë të lartë të Rijasetit dhe Myftive të Myftinive të BFI-së në RMV, kryetarëve të Komunave , i Komunës së Kërcovës, z. Fatmir Dehari, i Pllasnicës z. Ali Jaovski, profesorëve të FSHI-së, profesorë të Universitetit të Tetovës, Medresesë ISA Beu – Shkup, drejtuesve të Institucioneve lokale dhe qëndrore, zv. Avokati i popullit z. Ylber Rufati, perfaqesues të jetës politiko-shoqërore, Imamëve dhe dashamirëve të jetës fetare, u dhanë mesazhet e Bedrit, një datë me karakter historik, e mbushur me krenari, sinqeritet, punë dhe angazhim.
Programi u hap me lexim të Kuranit Fisnik nga hfz. Xhemail Nuhiu, e më pas, nikoqirët e këtij eventi, Myftiu i Kërçovës, bashkë me Kryetarin e Komunës së Kërçovës, i përshëndetën të pranishmit, u dëshiruan mirëseardhje në qytetin e lashtë të Uskanës duke u lutur për agjërim të pranuar dhe vepra të mira e pranuara.
Pastaj, fjalë rasti pati edhe Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi, i cili potencoi dimensionin e Bedrit nga aspekti edukativo- shoqëror, duke vënë në theks kultivimin e drejtësisë, sinqeritetit, mirësisë.
Panelistët të cilët e nderuan këtë mbrëmje, ishin: Prof. Muaz ef. Agushi, i cili foli mbi rrjedhojën historike të Bedrit dhe shkaqet e fitores së madhe, prof. Lutfi ef. Nexhipi, i cili foli rreth mësimeve apo porosive të Bedrit, dhe Naim ef. Ferati, i cili bëri rezimenë duke nxjerrur mësimet kryesore të Bedrit, unitetin, sinqeritetin dhe besimin.
Në kohën e ifarit, pas thirrjes së ezanit të akshamit nga Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë, Hfz. Evzal ef Sinani, për të gjithë të pranishmit u shtrua iftar i përbashkët, duke respektuar masat për mbrojtjen e shëndetit.