Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës i kanë dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti një kërkesë me tre pika që kanë të bëjnë në fushën e prokurimit publik dhe kontratave në projektet e investimeve kapitale.
Me këtë rast, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës:
- Të plotësohet dhe funksionalizohet Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
- Të anulohet procedurat për të gjitha aktivitetet e prokurimit që janë në kontekste dhe të kthehen në ritenderim për shkak të ngritjes së çmimeve.
- Të gjendet mundësia e rishikimit të kontratave aktuale dhe ndryshimit të çmimit të tyre konfrom ngritjes së çmimeve në lëndën e parë për projektet në investimet kapitale (ose edhe sipas indeksimit të sektorëve bazuar në të dhënat e Agjencionit të Statistikave të Kosovës), transmeton Fol Drejt.
Kjo situatë mund të detyroj operatorët ekonomik që të tërhiqen nga marrëdhëniet kontraktuale e që për pasojë do të shkaktoj konfiskimin e sigurimit të kontratës dhe futjen në listë të zezë të operatorëve që në aspektin zinxhiror do të ketë pasoja në ekonomitë biznesore dhe të punësuarit e tyre – thuhet ndër të tjera në kërkesën e nënshkruar nga Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Agim Aliu dhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës z.Berat Rukiqi./FolDrejt/