Blerim Isufaj vetëm pak ditë pasi e shpalli kandidaturën për kryeprokuror të shtetit i është ngritur kallëzim penal nga AKK
Agjencia Kundër Korrupsionit ka parashtruar kallëzim penal kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, për veprën penale “Raportimi i rremë i pasurisë”.
Kjo ndodhi vetëm gjashtë ditë pas shpalljes së kandidaturës për kryeprokuror të shtetit që bëri Isufaj.
Një vendim të tillë për kallëzim penal, e kanë konfirmuar për Betimi për Drejtësi, Agjencia Kundër Korrupsionit përmes një përgjigjieje me shkrim.
”Agjencia kundër Korrupsionit ka përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, vepra penale nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, me datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë lidhur me këtë, Betimi për Drejtësi ka kontaktuar edhe kryeprokurorin Blerim Isufaj por i njëjti nuk ka pranuar të komentojë kallëzimin penal të ngritur kundër tij.
”Le t’i kallzon krejt Agjencia, une s’kom nevojë me komentu”, ka qenë përgjigja e shkurtë e Isufajt, pas të cilës dhe e ka mbyllur telefonin.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Speciale dhe ish-kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës./FolDrejt/