Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehur se Qeveria po cenon funksionimin e pushtetit lokal me Projektligjin e buxhetit për vitin 2023.
AKK-ja bën të ditur se po tentohet që komunave të ju merren të hyrat vetanake të pa shpenzuara, u shprehën ata në një njoftim në Facebook, transmeton Fol Drejt.
“Qeveria e Kosovës gjatë hartimit të Ligjit për buxhetin e vitit 2023 ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të Komunave. Më saktësisht tek neni 9 i Ligjit të Buxhetit 2023, paragrafi 6 është shtuar heshturazi pasusi i fundit “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”. Me këtë po tentohet qe Komunave të ju merren të hyrat vetanake të pa shpenzuara” thuhet në njoftimin e tyre.
Ndër të tjera, në njoftim thuhet se komunat e kanë rregulluar pavarësinë financare dhe kërkojnë që të mos ketë ndërhyrje nga niveli qendror.
“Në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bordi kërkon që të hiqet ky pasus, sepse është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushteti lokal dhe Ligjin e Financave Publike. Komunat e Kosovës, pavarësinë financiare e kanë të rregulluar dhe kërkojmë që mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror”./FolDrejt/