Prokuroria e Ferizajt, Drejtoria e Krimeve të Rënda (DKR), së bashku me institucionet tjera lidhëse, duke realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në zonën e Brezovicës, i cili është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme.
Bëhet e ditur se qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.
Lidhur me këtë rast, në vendin e ngjarjes ndodhet edhe Prokurori i Shtetit.
Ndryshe, që nga dhjetori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë më shumë se 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Në pranga janë vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.
Saktësisht, aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë u arrestuan 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.
Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar 2022.
Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona.
Policia e Kosovës aksionin “Brezovica” e vazhdoi edhe në muajt në vazhdim.Telegrafi/