Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë”.
Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit bëhet e ditur se të dyshuarit F.R. dhe Sh.B. gjenden në paraburgim nga data 20 shtator.
“Sipas aktakuzës, me datë 20.09.2021, rreth orës 13:15 në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në aksin rrugor Vërmicë – Prizren është vërtetuar se në bashkëkryerje merren me kontrabandim me migrantë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, në atë mënyrë që derisa policia kufitare ishte duke patrulluar në lokacionin e lartpërmendur, vërejnë një veturë të markës ‘’Audi’’, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri F.R., si dhe një veturë tjetër të markës ‘’ËV Vento’’ të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Sh.B., ku brenda veturës ‘’Audi’’ ishin 5 shtetas sirianë, ndërsa në veturën ‘’ËV Vento’’ kanë qenë duke hyrë 4 shtetas sirianë por, të cilët me të vërejtur policinë janë larguar nga vetura dhe vendi i ngjarjes. Të pandehurit janë ndaluar nga ana e policisë së bashku me 5 shtetasit e tjerë sirianë, të cilët u janë nënshtruar procedurave të rregullta nga autoritetet kompetente të emigracionit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë.