Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë V.M. dhe A.A. për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Sipas aktakuzës, më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në stacionin policor të Fushë Kosovës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë, në bashkëkryerje e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin L.H..
Përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të paraqitej në stacionin policor. L.H. pasi kishte arritur në stacion e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer dhe cenuar dinjitetin e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte në fytyrë e më pas me shkelma e grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.