Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, lidhur me rastin “Paykos”, të cilin e ngarkon me veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Prokurori, ku thuhet se aktakuza u ngrit të mërkurën, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”, thuhet në njoftim.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.
“Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.