“Akuzat e pabaza dhe të padrejta” kundër Azerbajxhanit të bëra nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, gjatë vizitës së saj në Armeni janë “të papranueshme”, tha sot Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit.
“Deklarata e bërë nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, gjatë vizitës së saj në Armeni më 18 shtator 2022, që shtrembëron situatën në rajon, është thellësisht për keqardhje”, tha Ministria në një deklaratë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Akuzat e pabaza dhe të padrejta të bëra nga N. Pelosi kundër Azerbajxhanit janë të papranueshme”, thuhet më tej.
Duke vënë në dukje se “Pelosi njihet si një politikane pro-armene”, Ministria tha se “prania e anëtarëve pro-armenë të Kongresit në delegacionin e saj në Armeni është një dëshmi e pastër e kësaj”.
Ministria pohoi se vizita e Pelosit në Armeni synon marrjen e mbështetjes së lobit armen ndërsa periudha e zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin Amerikan po afron.
“Është i papranueshëm transferimi i intrigave politike dhe interesave lobuese nga agjenda e brendshme politike e SHBA-së në rajonin e Kaukazit Jugor nëpërmjet Armenisë”, theksohet në deklaratë.
“Me keqardhje theksojmë se N. Pelosi, e cila flet për drejtësi, nuk ka treguar asnjë qëndrim në lidhje me politikën e agresionit të Armenisë kundër Azerbajxhanit, pushtimin e territorit të Azerbajxhanit për gati 30 vjet, spastrimin etnik të qindra mijëra azerbajxhanasve dhe krime të tjera po aq të rënda për të cilat Armenia është përgjegjëse”, tha Ministria e Jashtme në reagimin e saj.
Deklarata e Pelosit “është goditje serioze ndaj përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit…Hapa të tillë të njëanshëm dhe deklarata të pabaza nuk shërbejnë për të forcuar paqen e brishtë në rajon, por për të përshkallëzuar tensionet”, përfundon reagimi i Azerbajxhanit.
Vizita e Pelosit erdhi pasi Azerbajxhani dhe Armenia arritën një armëpushim të mërkurën pas përleshjeve kufitare.
Luftimet e fundit morën jetë në të dyja anët, ku Azerbajxhani raportoi për 77 ushtarë të vrarë dhe dy civilë të plagosur. Armenia ka thënë se 135 ushtarë të saj janë vrarë dhe gjashtë civilë janë plagosur.
Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun, i njohur gjithashtu si Malësia e Karabakut, territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit./FolDrejt/