Autoritetet turke kanë lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar për themeluesin e një kompanie që merrej me shitblerjen e kriptomonedhave, i cili është arratisur në Shqipëri. Raportohet të ketë vjedhur 2 miliardë dollarë, të cilët investitorë të ndryshëm i kishin investuar në kompaninë e tij.
Policia turke ka arrestuar 62 persona të premten që kishin lidhje me biznesmenin 28-vjeçar Faruk Fatih Özer, themelues i kompanisë “Thodex”. Zyrtarë të forcave të sigurisë turke thanë se ai është larguar nga Stambolli dhe ndodhet në Shqipëri. Ministria turke e Drejtësisë, ka nisur procedurat për të kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e Özer nga Tirana, raporton agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.
Kompania “Thodex” pezulloi aktivitetin të mërkurën, pasi në faqen e saj në internet u postua një mesazh i mistershëm, ku thuhej se i duheshin pesë ditë për t’u marrë me një investim. Mediat turke raportojnë se në momentin e mbylljes së faqes 391 mijë investitorë kishin investuar rreth 2 miliardë dollarë në këtë kompani.
Një avokat i fondeve të investimeve, Oguz Evren Kilic, tha për AFP se për momentin janë qindra mijëra persona që nuk futen dot te llogaritë e tyre digjitale. Por në një mesazh të postuar në Twitter, biznesmeni turk, Özer, tha se akuzat ishin të pabaza dhe se do të rikthehej në shtëpi “brenda pak ditësh dhe do të bashkëpunonte me autoritetet në mënyrë që të dilte e vërteta”.