Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka reaguar sot pas akuzave se është i përfshirë në një skandal financiar.
Berishaj në një postim në Facebook i ka quajtur shpifje akuzat e tilla se ai ka bartur para rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, Robert Golob, transmeton Fol Drejt.
Ky është postimi i plotë i tij:
“Shpifjet nuk kalojnë!
Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës.
Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurt në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”.
Në anën tjetër mediumi në Slloveni “Planet TV” ka raportuar për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluan si skandal të madh financiar.
Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi.
Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme. Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet./FolDrejt/