Klubi saudit Al-Nassr është në kërkim të një trajneri të ri dhe një nga “dëshirat” është strategu me përvojë i Romës, Jose Mourinho, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Mourinho ka një kontratë të vlefshme me Romën deri në vitin 2024, por ai mund të largohet edhe më herët nëse nuk i reziston një oferte fitimprurëse nga Al-Nassr me vlerë 100 milionë euro, si dhe mundësinë për të punuar sërish me Ronaldon. Ata patën një bashkëpunim të suksesshëm në Real Madrid midis 2010 dhe 2013.
AS spanjolle shkruan se Mourinho do të fitonte 100 milionë euro nëse do të nënshkruante një kontratë trevjeçare me Al-Nassr, duke u bërë kështu trajneri më i paguar në botë.
Special One më parë tha se ishte i përkushtuar ndaj Romës, por kërkoi një takim me drejtuesit e klubit për të marrë një pamje më të qartë të së ardhmes së tij. Gjithashtu, së fundmi në përgjigje të lidhjes me Chelsean, ai tha se “kontratat ndonjëherë nuk janë gjëja më e rëndësishme”.
Al-Nassr shkarkoi trajnerin Rudi Garcia pasi humbi mbështetjen e Cristiano Ronaldos. /FolDrejt/