Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi, deklaron se nuk e kontrollojmë dot më pandeminë. Çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, në një konferencë shtypi tha se situata epidemiologjike në Mal të Zi është shumë serioze.
“Ne nuk e kontrollojmë dot më epideminë, sepse numri i të prekurve me virus dhe atyre që humbasin jetën është vazhdimisht në rritje.”
Sipas Galiq, rreth 13 për qind e popullsisë së Malit të Zi janë të prekur me coronavirus e kësaj i shtohet edhe transmetimi lokal, që po ashtu shënon rritje.
Përkundër treguesve shqetësues për situatën me epideminë, autoritetet shëndetësore dhe qeveria e Malit të Zi po i mbajnë kufijtë e hapur për vendet fqinje.
“Arsyet janë kryesisht ekonomike”, deklaroi sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, Borko Bajiç, duke përmendur një numër më të vogël të të infektuarve në ato vende si arsye shtesë dhe faktin që ata i mbajnë kufijtë e tyre të hapur me Malin e Zi.
Masat aktuale epidemiologjike lejojnë hyrjen në Mal të Zi nga Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina pa një provë të testit PCR.
Mali i Zi renditet i pari në rajon me numrin e të sëmurëve aktivë (1.448) për 100 mijë banorë.