Alarmet e rreme për bomba në Prishtinë, kanë pasur efekt edhe në Helvetik të Zvicrës. Ushtria e Zvicrës aktivizoi dy avionë luftarakë për të shoqëruar avionin e udhëtarëve që ishte nisur nga Prishtina.
Gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka pasur alarme të shumta për vendosjen e mjeteve shpërthyese në objekte shkollore. Një alarm i tillë ishte edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.
Si pasojë e këtyre alarmeve, efekte pati edhe shteti zviceran për shkak se në kohën e alarmit në Aeroportin e Prishtinës, një avion ishte duke fluturuar drejt Cyrihut.
Autoritetet zvicerane të sigurisë me të marrë njoftimin, kanë aktivizuar dy avionë luftarakë të tipit F/A-18.
Avionët luftarakë që janë ngritur me urgjencë për të shoqëruar atë të udhëtarëve të linjës Prishtinë-Cyrih, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha të zviceranëve.
Mediat vendase kanë raportuar dy zhurma të mëdha supersonike, ndërsa kanë parë dy avionët luftarakë në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri.
Ushtria kishte marrë alarmin rreth orës 18:50, ndërsa avionët kishin shoqëruar avionin e udhëtarëve i cili arriti të aterronte pa probleme në Aeroportin Kloten të Cyrihut pas orës 20:00.