Armatosja dhe përgatitja e pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës, ka zgjuar alarmin në Serbi. Kjo e fundit po e akuzon Turqinë si një ndër vendet e cila është duke e përkrahur në mënyrë intensive Forcën e Sigurisë së Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë Nemanja Staroviq, ka thënë se vende të caktuara, dhe mbi të gjitha, siç tha ai, në fokus është Turqia, “po punojnë intensivisht në armatosjen, stërvitjen dhe përgjithësisht në trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjë që është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe marrëveshjet e tjera relevante ndërkombëtare”.
Staroviq ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë se “agjencitë tona kompetente po e ndjekin me kujdes dhe po e informojnë udhëheqjen shtetërore për atë që po ndodh”, kështu që Serbia i “paralajmëroi” përfaqësuesit e Turqisë përmes të gjitha kanaleve në dispozicion se ishte “absolutisht e papranueshme”, që Turqia “po ua dhuron” ato armë Kosovës.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i prezantoi publikisht dronët dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për faktin se Turqia po rrit kapacitetet e atyre forcave kosovare me donacionet e armëve sulmuese. Fatkeqësisht, nuk bëhet fjalë vetëm për dronë, por edhe për armë shumë të sofistikuara antitank, mortaja dhe armë të tjera” – citohet të ketë thënë Staroviq.
Ai tha se kjo “ngre nivelin e rrezikut dhe kërcënimeve, para së gjithash, ndaj popullatës serbe në Kosovë, por edhe ndaj Serbisë në tërësi”, duke shtuar se “kjo nuk është shkak për panik, ne kemi përgjigje për të gjitha këto dhe do t’i kemi së shpejti”.
“Kjo është veçanërisht shqetësuese sepse Turqia do të marrë komandën e KFOR-it në vjeshtë, për herë të parë që nga themelimi i këtij misioni. Kjo nuk është mirë, nuk mund të ndikojmë në atë vendim sepse është ekskluzivisht në kompetencë të aleancës së NATO-s”, tha Staroviq.
Ai ka deklaruar jo pa shqetësim, se emërimi i një gjenerali nga Turqia si komandant i KFOR-it sjell “sfida shtesë” për Serbinë, dhe ambiciet e saj në Kosovë./FolDrejt/