Armando Broja nuk është duke kaluar momentin e tij më të mirë në “St Mary’s”. Kundër Uotfordit, Ralf Hazenhytel, nuk e preferoi titullar përkrah Çe Adams dhe ia besoi vendin e sulmuesit 20-vjeçar Stjuart Armstrongut.
Shqiptari u hodh në fushë për Sauthemptonin vetëm në minutën e 46-të, në vend të Smollbon, për të kërkuar golin e barazimit. Uotfordi kishte kaluar dy herë në avantazh në pjesën e parë falë golave të Kukos në minutën e 14-të dhe 34-t. Elionusi rihapi ndeshjen në minutën e 45-të për vendësit.
Por ata nuk arritën dot të barazonin, madje Broja nuk e mbylli dot ndeshjen pasi pësoi një dëmtim të frikshëm në shtesë.
Broja arrin të dalë nga fusha me këmbët e tij, por tani pritet të bëjë të gjitha testet për të konfirmuar se goditja poshtë zgavrës së syrit nuk ka pasoja të tjera veç ënjtjes. Kjo ishte ndeshja e gjashtë radhazi e sulmuesit të Çelsit që nuk arrin të gjejë rrugën e golit në Premier Ligë.
Hera e fundit që Broja ka shënuar në kampionat, ka qenë pikërisht ndaj Totenhemit në fillim të muajit shkurt. Por golin e fundit me fanellën e Sauthemptonit ai e realizoi ndaj Uest Hemit në 1/8-at e Kupës FA.
Nëse nuk do të ketë frakturë dhe pasoja të tjera nga tronditja, ndeshja e radhës për Sauthemptonin është të dielën kundër Mançester Sitit, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës FA.
Por dëmtimi i Brojës shqetëson jo pak edhe Edi Rejën, në prag të dy miqësoreve të Shqipërisë në fund të muajit mars. Kuqezinjtë do të luajnë testin e parë kundër Spanjës më 26 mars, ndërkohë që tri ditë më vonë do të presim Gjeorgjinë./FolDrejt/