Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Ganimete Musliu, pas një takimi që kanë zhvilluar sot me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë, mund të destabilizohet, shkruan Fol Drejt.
Deputetja Musliu ka thënë se aktualisht situata është stabile “me përjashtim të katër komunave veriore ku shihen tendenca për destablizim. E ashtuquajtura Organizata e Mbrojtje Civile në bashkëpunim me Listën Serbe vazhdimisht kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtar të kësaj organizate dy grupe tashmë janë duke kryer kurse të trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë”, ka thënë Musliu.
“Unë flas zyrtarisht si institucion, tashmë është konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë për aksione të ndryshme eventuale që mund të merren në veri të Kosovës. Ka stërvitje për gjuajtje me armë, stërvitje për taktizim”, tha Musliu.
Ajo ka thënë se institucionet duhet të jenë vigjilente, ndërsa ka përmendur djegien e veturave, duke thënë se ndaj qytetarëve serbë është rritur presioni dhe shantazhi. Sipas deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), AKI është duke e kryer punën me sukses./FolDrejt/