Albin Kurti gjatë mbledhjes së sotme ka folur për punën njëveçare të Qeverisë së tij.
Ai këtë vit e ka quajtur si vit të zhvillimit ekonomik dhe luftimit të korrupsionit, transmeton Fol Drejt.
“Janë konfiskuar mbi 1 ton narkotik, janë kryer 550 operacione policore, 1,102 bastisje, janë shkatërruar 54 grupe kriminale e janë arrestuar 12 mijë persona në mesin e tyre edhe 270 zyrtarë shtetërorë”, shprehet Kurti.
Kurti këtë vit të qeverisjes së tij e ka përmendur duke u kthyer që në fillim, duke thënë se qytetarët votuan për riorientimin demokratik dhe evropia të shoqërisë.
“Ata votuan për luftën ndaj korrupsionin institucional e financiar, për kthimin e virtyteve në institucione, kthimin e aftësisë në borde, rritjen e punësimit, forcimin e ushtrisë dhe rritjen e ekonomisë dhe buxhetit e forcimit të shtetit e sovranitetit”, thekson Kurti.
Kryeministri Kurti nuk la pa përmendur vendimet të cilat janë marrë nga Qeveria:
“Në një vit të punës kishim 67 mbledhje të qeverisë e sot jemi në mbledhjen e 68 ku morëm 581 vendime e sot i tejkalojmë 600 sosh, ku proceduan 128 projektligje ku sot i kalojmë edhe 130 më shumë sesa çdo qeveri paraprake në vitin e parë të saj”.
Kurti përmendi edhe menaxhimin e pandemisë COVID-19, ku tha se jemi vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit të qytetarëve në rajon.
“Së bashku kemi menaxhuar pandeminë COVID-19 me masa që kanë ruajtur shëndetin e qytetarëve por edhe të ekonomisë tonë publike e private, duke shënuar numrin më të vogël të vdekjeve në rajon e shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon”, u shpreh Kurti.
Ai përmendi edhe krizën e energjisë elektrike si sfidë të kësaj qeverie, ku tha se ndonëse ende nuk ka kaluar, Qeveria mori masa emergjente për t’u ndihmuar qytetarëve.
“Krahas pandemisë kishim edhe krizën e energjisë e cila ende nuk ka kaluar. Kemi marrë masat emergjente duke subvencionuar koston shtesë që kriza mos ti rëndoj atë që fitojnë më së paku. S’ka dyshim që problemet që kemi trashëguar janë të mëdha e sfidat që kemi përpara janë edhe më të mëdha, por qytetarët tanë na kanë besuar ne që ta bëjmë ndryshimi”, tha Kurti./FolDrejt/