Abdurrahim Karakoç, autori i poezisë simbol “Mihriban” dhe i shumë e shumë poezive të tjera të dashurisë, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe nga përkthyesja, Fatijona Bajraj. Përkthimi i tij në gjuhën shqipe mbush boshllëkun e krijuar nga mungesa e poezive të tij në këtë gjuhë.
Shkruan: Albin Mehmeti
Në këtë përmbledhje poezish, e që janë ajka e poezive të Karakoçit, gjejmë dashuri, mall e dhimbje. Në këto poezi kemi të pranishëm konceptin e dashurisë që del në dy rrafshe, si dashuri tokësore erotike, konkretisht dashuria ndaj gruas, si dhe dashuri transcendentale hyjnore, dashuria ndaj Hyjit, si shkalla më e lartë e dashurisë.
Dashuria dhe malli është binomi i pashmangshëm në pothuajse të gjitha poezitë. Malli për të kaluarën bën që poeti të mos arrijë të jetojë në të tashmen, por të jetojë me njërën këmbë në të djeshmen e lumtur dhe me njërën këmbë në të nesërmen utopike, në të cilën ka shpresë se do ta gjejë ilaçin për mallin. I vetmi ilaç, i cili do ta shërojë nga dhimbja e të djeshmes është harresa që mund të vijë nesër. Kjo, sipas poetit është e pashmangshme, pasi preokupimet e jetës janë më të fuqishme sesa malli. Për Karakoçin, dashuria para se të jetë ndjenjë është dhimbje, është hanxhari i cili godet mu në zemër. Dashuria e Karakoçit është pritje për të dashurën, pritje e cila e vret. Për mallin, dhimbjen e plagët e dashurisë qajnë konkretja e abstraktja, shiu e era, tërmeti e malet. Karakoçi përmes figuracionit letrar bën që për dashurinë të flasë memeci e të heshtë oratori.
Dashurinë e Karakoçit e gjejmë në dy botët, në botën fizike, ku dashuria është trëndafil e manushaqe dhe në botën e përtejme, ku ura e dashurisë është njëlloj po sikurse ura e Siratit. Padyshim, epiqendra e poezisë së dashurisë përfaqësohet nga figura e Mihribanit, që na del si figurë e një dashurie platonike e të parealizuar. Pasqyrimi brilant i kësaj figure bëri që Mihribani të mos mbetet vetëm si pasuri letrare e Karakoçit, por si pasuri e poezisë turke të dashurisë, madje edhe si simbol i poezisë orientale në përgjithësi. Fuqia krijuese e Abdurrahim Karakoçit krijoi një simbol të letërsisë, ekuivalent me figurën e Zhulietës në oksident dhe Lejlasë në orient. Poezitë e Abdurrahim Karakoçit përveç përsosjes estetike në njërën anë, kanë edhe fuqinë e mesazheve për jetën, në anën tjetër, mësime të cilat krijojnë një njeri të përsosur. Teksa lexohen poezitë e tij del para syve koncepti dulce et utile i Horacit, sipas të cilit letërsia duhet t’i përmbajë dy komponentë, të këndshmen dhe të dobishmen.
Krahas dashurisë fizike, te poezitë e Karakoçit kërkohet edhe dashuria metafizike, ku arritja te Zoti shndërrohet nga qëllimi në ideal jetësor. Afrimi me Zotin nuk mëtohet të bëhet përmes ritualeve kanonike të paracaktuara nga ideologjitë fetare, por ky afrim arrihet duke përflakur egon dhe smirën nga karakteri i njeriut. Abdurrahim Karakoç si mjeshtër i penës arriti ta transmetojë mesazhin se jeta si e tillë ka kuptim vetëm atëherë kur ekziston dashuria, qoftë ajo dashuri ndërnjerëzore, e cila përmirëson raportet mes individëve, qoftë si dashuri krijesë-Krijues, e cila përmirëson raportet e njeriut me vetveten, raport i domosdoshëm për një botë ideale.
Marrë nga numri III i revistës “Uji”./FolDrejt/