Ende nuk dihet se kur do të vazhdojë seanca parlamentare për emërimin e Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi edhe për një mandat 4 vjeçar në krye të ligjvënësit. Edhe përskaj paralajmërimeve të një ditë më parë nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti se seanca do të vazhdojë gjatë ditës së sotme, kjo nuk ndodhi.
“Nesër do të zgjedhim Kryetarin e Parlamentit, shokun tonë, Talat Xhaferrin- kishte thënë më herët Ali Ahmeti, BDI, duke kujtuar kohët komuniste me shprehjen ‘shokë’.
Burime nga Kuvendi thonë se konsultimet po vazhdojnë dhe se nuk dihet çfarë vendimi do të merret. Ndërkaq bruime nga LSDM-ja kanë thënë se seanca konstituive në të cilën do të zgjedhet kryeparlamentari, do të mbahet të premten. Jozyrtarisht, kjo situatë e paqartë është rezultat i debatit të ashpër që mbizotëroi në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, me ç’rast degë të caktuara të kësaj partie kanë qenë të pakënaqura me ndarjen e resorëve. Dega e Çairit dhe Sarajit kanë kundërshtuar emërimin e sekretarit të përgjithshëm, Artan Grubi për zy/kryeministër të parë dhe Ministër për Sistem politik. Ndërsa dega e Strugës dhe ajo e Likovës kanë kërkuar poste ministrore. Si pasojë, Këshilli i Përgjithshëm i integristëve mbeti mbrëmë pa një vendim për atë se kujt do t’i ndahet dikasteri i Shoqërisë informatike dhe Administratës. Burimet nga dega e Sarajit nuk i mohojnë pakënaqësitë, por nuk japin detaje me arsyetimin se bëhet fjalë për çështje të brendshme të partisë.