Në cilësinë e dëshmitares, nëna e të ndjerit M.K, Z.K, ka deklaruar se djali i saj, kishte një mosmarrëveshje me të akuzuarit ani pse nuk e dinte saktë se me cilin prej tyre, ndërsa shtoi se tre herë kanë shkuar tek familja e tyre për të kërkuar falje, por familja e të akuzuarit nuk e kanë pranuar kërkimfaljen.
Këtë deklarim, dëshmitarja Z.K e ka bërë të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen për vrasje të rëndë të M.K, në maj të vitit të kaluar.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Nixha deklaroi se kemi të bëjmë me një akuzë për vrasje të rëndë nga hakmarrja, pas që është vërtetuar se i ndjeri M. ka pasur një mosmarrëveshje me të akuzuarit e që fillimisht kishin tentuar që të pajtohen, mirëpo për arsye të ndryshme nuk kishte ndodhur.
Sipas tij, ngjarja faktike është vërtetuar edhe nga deklaratat e të akuzuarve që kishin pranuar se ishin në konflikt me të ndjerin, andaj tha që pas administrimit të provave do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv.