Para pak javësh Austria krijoi qeverinë e re mes debateve të shumta për përafrimin e programeve zgjedhore mes partisë Të Gjelbër dhe konservatorëve të ÖVP, të cilët para kësaj udhëhiqnin shtetin me neonazistët popullistë të FPÖ. Megjithatë, menjëherë pas krijimit të qeverisë, ajo që ra në sy dhe që krijoi përsëri debat, ishte ministrja e drejtësisë, Alma Zadic, një austriake me origjinë boshnjake.
E shpallur si e afërt me “ekstremizmin musliman” nga FPÖ, e cila koketon me figurat serbe që kryen gjenocidin në Bosnjë, në fakt ka shumë media tjera austriake që e lavdërojnë atë.
Zadic “është bërë e njohur në vendin e saj. Suksesi i saj shihet si simbol për potencialin e vendit të vogël boshnjak,” shkruan Der Standard.
Bosnja dhe Hercegovina, e ndarë në shumë fraksione dhe ku dominon retorike nacionaliste, në fakt ka nxjerë vajza të rëndësishme në skenën politike europiane. Përveç Zadic, të tilla janë edhe Arminka Helic ose në fakt Baronesha Helic of Millbank, e cila ulet në Dhomën e Lartë të Britanisë. Ngjashëm vlen edhe për ish ministren e arsimit në Suedi, Aida Haxhialiq.
Kjo do të thotë se shpesh vajzat ballkanike arrijnë sukses gjetkë nëpër Europë ose SHBA, megjithatë vështirë se do kishin fatin e njëjtë sikur do kishin qëndruar në vendet e tyre të origjinës. Kjo nuk duhet të stimulojë aspak largimin, por duhet që vendet tona ti orientojë drejt konkurrencës së lirë./Foldrejt.com