Përpjekja e fundit e Amazon për të shpejtuar blerjet në dyqan, ju lejon të paguani me pëllëmbën e dorës në disa nga dyqanet e saj.
Të martën, kompania prezantoi Amazon One, e cila lidh pëllëmbën tuaj të dorës me një kartë krediti të ruajtur në mënyrë që të mund të vendosni dorën tuaj mbi një sensor për të hyrë dhe për të blerë artikuj në dyqanet Amazon (AMZN) Go, shkruan CNN.
Fillimisht, tipari do të jetë i disponueshëm në dy dyqane Amazon Go në Seattle dhe kompania planifikon në muajt e ardhshëm ta shtojë atë në më shumë dyqane të Amazon Go, të cilat janë të përhapura në të gjithë Seattle, San Francisco, New York dhe Chicago. Amazon ka në plan ta sjellë atë edhe te shitësit e tjerë – dhe ndoshta vende si zyrat dhe stadiumet – në të ardhmen, transmeton Telegrafi.
Dilip Kumar, nënkryetari i Amazon, i tha CNN Business se Amazon One kishte qenë në punë që prej shumë kohë para pandemisë. Dhe tashmë është momenti i duhur kur ky sistem të hyjë në përdorim të gjerë, sepse njerëzit nuk duan kontakte shumë.
Megjithatë, ideja e dorëzimit të të dhënave biometrike tek një nga shitësit më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara mund të ‘ngrejë vetullat’. Amazon më parë ka qenë nën kritikat e avokatëve të privatësisë të cilët janë të shqetësuar për softuerin e saj për njohjen e fytyrës.
Kur bëhet fjalë për të dhënat e Amazon One, Kumar tha se kompania nuk po ruan asnjë informacion te skanuesit e hyrjes në dyqane.
Përpara se ta provojnë, përdoruesit duhet të fusin një kartë krediti në një pajisje Amazon One dhe të mbajnë pëllëmbën e dorës mbi të, në mënyrë që të skanohet. Në një përpjekje për ta bërë sistemin sa më të saktë që të jetë e mundur, tha Kumar, një aparat fotografik merr imazhe të shumta të vijave të holla dhe kreshtave të pëllëmbës dhe kap disa detaje nënlëkurore, të tilla si venat, që nuk janë aq të dukshme në fotografitë tipike.
Pas regjistrimit, përdoruesi mban pëllëmbën e tij mbi një skaner Amazon One për të hyrë në dyqan. Pastaj, gjithçka që ata marrin do të ngarkohet automatikisht në kartën e kreditit të lidhur në pëllëmbën e tyre.
Përdoruesit duhet të jenë në gjendje të përdorin të njëjtën pëllëmbë për të hyrë dhe për të blerë në dyqane të shumta, tha Kumar.