Gjatë dy javëve të fundit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ishin pjesë e stërvitjes më të madhe shumëkombëshe, të udhëhequr nga Ushtria Amerikane “Defender Europe 21”. Kjo është hera e parë që FSK është nikoqir i stërvitjeve.
Ambasada Amerikane përmes një reagimi ka lavdëruar FSK-në për vazhdimin e ndërtimit të gatishmërisë dhe ndërveprimit të tyre përkrah SHBA-ve dhe forcave të tjera ushtarake.
“Bravo për FSK-në, për vazhdimin e ndërtimit të gatishmërisë dhe ndërveprimit të tyre përkrah SHBA-ve dhe forcave të tjera ushtarake. Dita e sotme ishte kulmi i këtij angazhimi: Një Ditë e Vizitorëve të Dalluar, ku Nicholas Giacobbe dhe Ushtria Amerikane ‘BG Schaertl’ rishikuan vlerësimin e kompetencave të Këmbësorisë 1A. # Mëtëfortësëbashku”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Forca e Sigurisë së Kosovës nga 17 maji, po zhvillon operacione luftarake në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane që prej Luftës së Dytë Botërore.
Kosova sivjet është në mesin e 16 shteteve pritëse të kësaj stërvitje prej së cilës pret të dalë e validuar me kapacitetet e këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë.