“Ambasada e SHBA-së u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina duke përdorur mundësitë e transportit rrugor privat nëse janë të sigurta”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Kiev.
Ambasada e SHBA-së në Kiev u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina për shkak të informacioneve që Rusia në ditët e ardhshme mund të godasë infrastrukturën civile dhe ndërtesat qeveritare, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë me shkrim nga ambasada thuhet se “Departamenti Amerikan i Shtetit, ka informacion se Rusia ka përshpejtuar përpjekjet e saj për të filluar sulm ditët e ardhshme ndaj infrastrukturës civile dhe ndërtesave qeveritare të Ukrainës”.
Sulmet e Rusisë në Ukrainë përbëjnë një kërcënim që vazhdon për civilët dhe infrastrukturën civile thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se “Ambasada e SHBA-së u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina duke përdorur mundësitë e transportit rrugor privat nëse janë të sigurta”.
Administrata e Kievit kishte paralajmëruar se përpara përvjetorit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht, Rusia mund të vendosë në objektiv disa qytete, përfshirë edhe kryeqytetin.
Administrata ushtarake në Kiev ka ndaluar takimet publike gjatë datave 22-25 gusht në Kiev me arsyen se mund të ketë sulme nga Rusia.
Ndërsa në qytetin Kharkiv që ndodhet në kufi me Rusinë u shpall orë policore për ndalimin e daljes në rrugë për 36 orë, e cila do të fillojë më 23 gusht në orën 19.00 sipas kohës lokale./FolDrejt/