Kyle Scott ka thënë se është e rëndësishme të dihet se ku është Serbia e ku është Kosova.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott ka thënë se është e rëndësishme të dihet se ku është Serbia e ku është Kosova.
Ai ishte mysafir në programin e mëngjesit në “Prva TV” dhe një prej temave të diskutuara ishte letra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
“Plotësisht pajtohem me Vuçiqin, me rëndësi është që të dyja palët të kthehen në tavolinë dhe me dialog të arrihet deri te marrëveshja. Taksa është pengesë. Trump nëpërmjet letrës së tij i ka thënë Vuçiqit se ekziston mundësia që në muajt e ardhshëm të arrihet një marrëveshje dhe se nuk duhet të humbet mundësia”, tha Scott.
Ai shtoi se gjithçka do të ishte e zgjidhur nëse do të ishte e lehtë.
“Çdo marrëveshje kërkon kompromis nga të dyja palët. Duhet të arrihet një marrëveshje që është e qëndrueshme dhe jo vetëm në letër, por të realizohet. Nuk dëshirojmë ta detyrojmë askënd, në interes të Serbisë dhe Kosovës është të arrihet deri te marrëveshja. Duhet të dëshirojnë të kthehen në tavolinë dhe mendoj se e dëshirojnë”, shtoi ai. Scott po ashtu theksoi se termit të korrigjimit të kufijve i është dhënë rëndësi e tepërt.
“Është e qartë se kufijtë duhet të jenë të qartë dhe ky është element i marrëveshjes, së bashku me çështjet tjera. Por, duhet të dihet se ku është linja, ku është Serbia e ku është Kosova. Harta e Serbisë në SHBA dhe harta e Serbisë në Serbi kanë dallime”, u shpreh ai.