Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar sot priti sot në takim Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Ben Corell, të shoqëruar edhe nga Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Me këtë rast, ai falënderoi Gjeneralin Corell dhe Ambasadorin Hovenier dhe u shprehu mirënjohjen e lartë për partneritetin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe bashkëpunimin, tani në vitin e 11-të, të shkëlqyeshëm bilateral.
Ndër të tjera, Mehaj rikujtoi disa prej sukseseve të përbashkëta, duke u fokusuar në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt, Stërvitjen ” Defender-Europe ’21”, përgatitjet për “Defender-Europe’23”, si dhe misionet tjera paqeruajtëse të radhës në bashkë-zbarkim me trupat amerikane.
Njëkohësisht, ai rikujtoi se këto të arritura janë falë mbështetjes së pakursyer dhe të pazëvendësueshme të SHBA-së si shtet mik, Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, përmes Gardës Kombëtare, në funksion të avancimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale dhe profesionale të FSK-së përgjatë dhjetë viteve, e duke besuar fuqishëm se bashkëpunimi në të ardhmen do të thellohet akoma më shumë.
Nga ana e tij, Gjenerali Corell, vlerësoi shumë lartë bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe konfirmoi përkrahjen e plotë, për aktivitetet e tjera të përbashkëta me FSK-në, të cilat tashmë po dëshmojnë nivel të lartë të profesionalizmit, prandaj vlerësoi se mbeten të përkushtuar që bashkëpunimi dhe partneriteti të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, Ambasadori Hovenier, theksoi se do të vazhdojë angazhimin e tij për mbështetjen e FSK-në në rritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale dhe operacionale, e sidomos theksoi rëndësinë e aspekteve të ndërveprimit ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së për operacione në misionet paqeruajtëse dhe të stabilitetit.