Sot ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Ambasadori gjerman Christian Heldt përmes një videoje ka thënë detaje në lidhje me këtë ligj.
“Më 1 Mars 2020 do të hyjë në fuqi Ligji i Migracionit në Gjermani. Me këtë rast nuk bëhet fjalë për kuota të reja për leje pune për punonjës nga Ballkani Perëndimor, por për një rregull që vlen në mbarë botën”, tha Heldt.
Më tutje, ai tha: “Kjo është një rregull për fuqi punëtore të kualifikuar, e cila mund ta organizojë migrimin në Gjermani në bazë të kësaj rregulleje të re ligjore. Por fuqi e kualifikuar punëtore do të thotë të kesh kualifikim profesional në cilindo sektor, i cili që duhet të njihet në Gjermani përpara se të mund të parashtrohet një kërkesë për vizë”.
“Në gjithë këtë, prioritet për ne është që kjo ndërlidhet edhe me idenë e migrimit qarkullues, që do të thotë që kualifikimet e reja, të cilat merren në Gjermani mund të barten më vonë në jetën profesionale në Kosovë për ta zhvilluar edhe më tej ekonominë e këtushme. Edhe në këtë pikë Gjermania këtu në Kosovë ka një gamë të gjerë instrumentesh për të ndihmuar në jetën profesionale në vend”, shtoi ambasadori gjerman Christian Heldt.