Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shkruar se LDK nuk është pjesë e “sjelljeve penguese”, pasi paraprakisht i kërkoi opozitës t’i japë fund bllokadës për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Rohde tha se po e përmend këtë për të qenë më i saktë.
“LDK nuk është pjesë e sjelljeve penguese të opozitës që përmenda!”, shkroi ambasadori gjerman, duke shpërndarë postimin paraprak.
Rohde është shprehur i shqetësuar për mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se janë në rrezik projektet madhore Gjermani-Kosovë në energjetikë dhe bujqësi, ndërsa kërkoi qasje konstruktive dhe që opozita “t’i japë fund bllokadës”.
“Të shqetësuar për mosmiratimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend që mund të sjellin miliona përfitime për qytetarët e Kosovës. Vetëm dypalëshe, janë në rrezik projekte të mëdha energjetike dhe bujqësore Gjermani-Kosovë. Duhet një qasje konstruktive nga të gjithë aktorët, opozita duhet t’i japë fund bllokadës”, shkroi Rohde në “X”.