Nëse ndonjë vend mbështet hapin e armikut, atëherë ai duhet të jetë në listën e shteteve armike, citohet të ketë thënë për Novosti-n ambasadori rus në Serbi Aleksandar Bochan-Kharchenko, shkruan Fol Drejt.
Kharchenko ka thënë se nuk duhet spekuluar nëse Serbia do të detyrohet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duke shtuar se më mirë është “të shpresohet” se nuk do ta bëjë këtë gjë.
“Është e vështirë të thuhet se sanksionet mund të jenë një lëvizje miqësore, sigurisht që janë armiqësore”, theksohet të ketë thënë Bocan-Kharchenko.
“Ne nuk shohim asnjë tregues se presidenti Vuçiq mund të ndryshojë qëndrimin e tij të qëndrueshëm. Ai bazohet në mendimin e shumicës së popullatës serbe, si dhe në përfitimin ekonomik që ka Serbia dhe ne, edhe pse tani po përballemi me pengesa, sepse Serbia është e rrethuar nga vende që mbështesin sanksionet”, ka shpjeguar tutje diplomati rus.
Diplomati rus nuk ka hezituar për të folur për Kosovën duke thënë se Moska është e zhgënjyer me qëndrimin e shteteve perëndimore që po mundohen ta “hedhin në harresë rezolutën 1244”.
“Është ende në fuqi dhe besoj se do të luajë rolin e vet. Deri më tani askush nuk e mohon se vendimi përfundimtar për Kosovën duhet të konfirmohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pavarësisht nga të gjitha dallimet në pikëpamje”, ka theksuar Aleksandar Bochan-Kharchenko.
Bocan-Harchenko shton se një zgjidhje e drejtë dhe afatgjatë për Kosovën është e mundur vetëm pas një ndryshimi global.
Ai ka komentuar edhe protestat në Beograd, duke treguar se është një “goditje” për Vuçiqin dhe Qeverinë e Serbisë, të cilët udhëheqin një politikë sovrane dhe të pavarur dhe arrijnë rezultate të mira ekonomike në kushte të vështira./FolDrejt/