Ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, tha se e vetmja mënyrë që Serbia e sheh si “rrugë përpara” është që forcat e NATO-s të marrin kontrollin e veriut të Kosovës.
“Edhe pse kjo mund t’ju duket e çuditshme duke e dëgjuar nga ambasadori i Serbisë, e vetmja rrugë që shohim përpara është që të kërkojmë nga NATO që të marrë përgjegjësinë në veri të Kosovës në vend të forcave speciale të Kurtit”, tha Gjuriq për Newsmax, transmeton Danas.rs .
“Ne gjithashtu kërkojmë një hetim të pavarur ndërkombëtar për atë që ka ndodhur, sepse është sulmuar një manastir serb, janë vrarë tre serbë, si dhe një polic i Kosovës, i cili sipas marrëveshjeve ekzistuese, nuk është dashur të jetë aty”, tha ai.
Ai shtoi se me dërgimin e forcave speciale në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti “ka ushtruar dhunë ndaj marrëveshjeve ekzistuese”.
“Nuk dua të marr me mend se kush qëndron pas incidentit dhe sulmit, vetëm dua të them se tre serbë të Kosovës për fat të keq kanë vdekur. Ata janë vendas. Asgjë nga këto nuk ka ndodhur derisa kryeministri aktual i Kosovës erdhi në pushtet“ përfundoi ai.