Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është shprehur se po duan të vazhdojnë tutje ndërtimin e koalicionit ndërkombëtar të partnerëve në Europë dhe më gjerë.
Në një opinion të dhënë për Metro, Jeff Hovenier, ndërsa komenton zhvillimet mes Ukrainës dhe Rusisë, po thotë se SHBA janë të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe se për Rusinë sikurse ka thënë edhe sekretari Antony Blinken, rruga diplomatike mundëson zgjidhje të vetme për të gjithë, përcjell Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas tij, nëse Rusia zgjedh një tjetër rrugë, do të ketë pasoja:
”Por, nëse Rusia zgjedh atë rrugën e dytë dhe pushton edhe më thellë Ukrainën, jemi të gatshëm dhe në vijë me partnerët dhe aleatët tanë për të vënë pasoja masive ndaj Rusisë, siç është konfirmuar së fundmi nga G7, BE-ja dhe NATO-ja. Këto do të ishin sanksione të rëndësishme – financiare, ekonomike dhe të tjera që nuk i kemi vënë në të kaluarën. Sipas nevojës, ne gjithashtu do të forconim mbrojtjen e Ukrainës dhe NATO-s, duke bërë pikërisht atë që Putini pretendon se nuk e dëshiron.
Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim ndaj vlerave demokratike kudo. Amerikanët dhe kosovarët duhet të qëndrojnë së bashku me Ukrainën për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme, e cila është në interesin më të mirë të popujve të demokracive, qofshin ata amerikanë, kosovarë apo të tjerë anembanë globit”.