Kogresi amerikan pritet të marrë në shqyrtim projektbuxhetin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore prej 6 trilion dollarësh.
Presidenti amerikan Joe Biden ka gati projektbuxhetin për vitin 2022 që kap vlerën e 6 trilion dollarëve, dhe që fokusohet te infrastruktura dhe çështjet sociale në Amerikë.
Ky projektbuxhet që pritet të shkojë në Kongres për t’u votuar është më i madh se ai 4.2 trilion dollarësh i ish-presidentit Trump.
Nëse do të kalojë në Kongres, ky do të jetë buxheti më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore, që sipas ekspertëve ka rreziqet që të shtojë defiçitin federal, por për demokratët niveli i shpenzimeve qeveritare është tejet i lartë dhe me pasoja pozitive.
Plani i administratës Biden për t’u fokusuar më shumë te sigurimet shoqërore në Amerikë është parë me dyshim nga republikanët. Sipas demokratëve, planet e Presidentit Biden përfshijnë më shumë para për rrugë, ura, kujdes më të madh social dhe internet me bandë të gjerë, që janë të domosdoshëme për amerikanët sot.
Rritja e shpenzimeve qeveritare do të ndajë gjithashtu një fond prej 200 miliardë dollarësh, për 10 vjet, për të siguruar arsim parashkollor falas për të tre dhe katër vjeçarët, si dhe 109 miliardë dollarë për të ofruar dy vjet kolegj falas për të gjithë amerikanët.
Ekspertët e financave thonë se edhe pse ka rritje taksash dhe metoda të tjera për të mbledhur të ardhura, Amerika do të ketë gjithashtu borxh kombëtar në nivele rekord brenda disa viteve.
Kongresi ka kohë deri në fund të shtatorit për të miratuar buxhetin e ri. Demokratët kanë një shumicë të ngushtë në Kongres dhe një avantazh të dobët me një vend, në krahasim me Republikanët, në Senatin me 100 vende.