Amerika e ka siguruar biletën për 1/8-ën e finales në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Ky sukses vjen pas fitores me rezultat 1-0 në takimin direkt kundër Iranit nga radhët e Grupit B, shkruan Fol Drejt.
Sukses të ngjashëm Amerika kishte edhe në Kampionatin Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Atë kohë Amerika gjendej në Grupin C. SHBA kishin barazuar në dy takimet e para kundër Anglisë dhe Sllovenisë, ndërsa kishin fituar me rezultat 1-0 në ndeshjen vendimtare kundër Algjerisë.
Edhe në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës barazuan në dy lojërat e para kundër Uellsit dhe Anglisë, kurse e fituan me rezultat 1-0 ndeshjen vendimtare kundër Iranit. Golin e fitores për amerikanët e ka realizuar Christian Pulisic në minutën e 38-të të lojës.
Sikurse në botërorin e vitit 2010, edhe në botërorin “Katari 2022”, Amerika ka grumbulluar pesë pikë. Në 1/8-ën e finales Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me Holandën më 3 dhjetor nga ora 16:00./Gëzim Olluri/FolDrejt/