Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill inkurajoi Serbinë të enjten që t’i bashkohet vendeve perëndimore në lidhje me Rusinë dhe pushtimin e saj në Ukrainë dhe të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian.
Pothuajse të gjitha vendet e botës kanë mbajtur qëndrimin se Rusia nuk duhet të lejohet të vazhdojë të bëjë atë që po bën në Ukrainë, u tha Hill gazetarëve, duke shprehur shpresën se edhe Serbia do t’u bashkohet atyre vendeve.
Nëse është e nevojshme të gëlltitet një pilulë e hidhur, është më mirë të bëhet tani, tha ambasadori amerikan në një bisedë me gazetarët.
Duke deklaruar se Serbia është në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), Hill përsëriti mesazhet e mëparshme nga Brukseli për Beogradin se duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin.
Vlerësimi i mëparshëm i Hill-it se “Serbia vetëm vuan” nga shmangia e bashkimit me masat e vendeve perëndimore ndaj Rusisë, u vlerësua nga opozita e djathtë si një paralajmërim për një hap të ri politik nga qeveria e Aleksandër Vuçiqit.
Krahu i djathtë në skenën politike serbe dhe ultranacionalistët e akuzojnë Vuçiqin se ka rënë dakord me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe në këtë mënyrë “përmbush këtë kërkesë të Perëndimit” dhe se është pajtuar me “politikën e shantazhit që do të pasojë njëra pas tjetrës”. Në aspektin e pranimit të planit evropian për Kosovën, i cili sugjeron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Deri më tani, lideri serb Aleksandar Vuçiç ka injoruar thirrjet e shumta për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke e justifikuar atë me marrëdhënie të ngushta dhe varësi nga burimet ruse të energjisë, por ai pranoi se në një moment do t’i duhet të pajtohen me kërkesat ndërkombëtare. /FolDrejt/