Me 14 nëntor në Kosovë është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë Komunash.
Ylli Hoxha thotë se Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje pati shumë probleme, përcjell Telegrafi.
“Një problem i madh për LVV-në në këto zgjedhje ishte nënvleftësimi i zgjedhjeve lokale duke shpallur kandidatët një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Arben Vitia ka menaxhuar pandeminë dhe ka pasur zëra që ai duhet të shkojë në zgjedhje vetëm si ministër. Problem tjetër është se LVV ka hyrë në zgjedhje sikurse në garë të ishin edhe Kadri Veseli e Isa Mustafa. LVV harroi se në krye të LDK-së ishte Lumir Abdixhiku i cili ishte ministër i vyer i qeverisë së tij. Edhe Memli Krasniqi ishte ndryshe…Një prej problemeve më të mëdha për LVV-në ishte kandidimi i Agim Bahtirit. Nëse LVV do ta kishte larguar Agim Bahtirin do të fitonte edhe Prishtinën e Prizrenit”, deklaroi Hoxha.
Visar Ymeri thotë se problemet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje janë shumë më të mëdha se ato që duken.
“Problemi është përplasje mes aktivistëve të vjetër të LVV-së me teknokratët e ri që janë futur në Lëvizje. Vetëvendosje më shumë ka qenë e përqendruar te ideali se te synimet personale. E dyta, Kurti sa herë që shkon në mbështetje të një kandidati e lë atë nën hije. Kurti e ka të pamundur të qëndrojë i dyti. Problem tjetër është përzgjedhje e kandidatëve në komuna. Një tjetër problem te LVV ka qenë arroganca e madhe në raport me komunikimin me qytetarët”, deklaroi Ymeri.
Ilir Mirena thotë se një qeverisje më e prekshme e LVV-së do të kishte sjellë tjetër rezultat. Raporton Telegrafi.com percjell Foldrejt.com