Dushan Lj. Milenkoviq nga Qendra për Dialog Social, me rastin e takimit të sotëm në Bruksel ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka thënë për TV N1 se pret që të ketë një marrëveshje në parim lidhur me Planin Evropian. Megjithatë sipas tij, nuk pret që të nënshkruhet asgjë sot, ndonëse është deklaruar se pret që pas takimit të ketë deklarata pozitive nga të dyja palët si dhe do të ketë një afat kohor për nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes, shkruan Fol Drejt.
“Dita do të jetë domethënëse, që nga ardhja e Kurtit në pushtet kemi pasur një sërë krizash në marrëdhënie dhe një ndërprerje të plotë të dialogut dhe vetë fakti që takimet janë mbajtur pas një sërë krizash tregon se dialogu po shkon në drejtim pozitiv”, ka thënë Milenkoviq.
I pyetur nëse marrëveshja është “merre apo lëre”, ai tregon se presioni Perëndimit duket se ka të bëjë me kërcënime të caktuara, por ka të bëjë edhe me atë që Vuçiq tha në fjalimin e adresuar për opinionin e gjerë – ndërprerjen e procesit të integrimit në BE, tërheqjen dhe ndërprerjen e investimeve të mëtejshme.
Ai gjithashtu shtoi se mund të shohim disa shenja presioni ndaj Kosovës dhe Kurtit, sidomos kur bëhet fjalë për zgjatjen e vendimit për pranimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë se Serbia do të ndëshkohet rënd nëse nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, por ndërkohë e ka kritikuar Vuçiqin për mungesë totale të transparencës:
“Ajo që më shqetëson konkretisht është se përfaqësuesit tanë të qeverisë i komunikojnë gjërat e tilla shumë më pak se sa pala tjetër dhe në mediat e palës tjetër tregohet shumë më tepër për publikun se sa këtu. Shembulli i fundit është letrat e dërguara për Vuçiqin dhe Kurtin të cilat i kanë marrë nga zyrtarët evropianë (Olaf Šolc, Emanuel Makron dhe Gjorgje Meloni). Menjëherë e kemi ditur se çfarë shkruhej në letrën drejtuar Kurtit, por jo në letrën drejtuar Vuçiqit”, ka thënë ai duke shtuar se kjo është “metodologjia e kontrollit të publikut nga ana e Vuçiqit, të cilën ai e ushtron këtu”.
Por në këtë pikë ai e sheh Vuçiqin më të zhdërvjellët në proces:
“Nuk e përjashtoj mundësinë, duke e ditur për Kurtin se është i paaftë për kompromise, e madje nuk më befason nëse ai largohet nga takimi. Mirëpo, fakti që ai ka pranuar të shkojë në takim, tregon për gatishmërinë e tij”, vlerëson Milenkoviq dhe shton se nuk mund ta imagjinojë “që Vuçiq ta pranojë marrëveshjen dhe të mundohet ta zbatojë atë, por pa Asociacionin i cili ende nuk është formuar.”
Ai beson se Vuçiq është “mjaft i suksesshëm në shitjen e kësaj pakete (marrëveshjeje) tek njerëzit” dhe se ka kohë që po e përgatit publikun për këtë.
Një anketë e bërë nga Qendra për Dialog Social pas fjalimit të Vuçiqit në kohën kur u takua me “pesëshen” diplomatike, tregoi se 30 për qind e qytetarëve do ta pranonin marrëveshjen, por kur shtohen kërcënimet e shprehura në mënyrën se si i artikulon ato Vuçiq, atëherë mbështetja shkon deri në 50 për qind.
“Do të doja t’i kishim zgjidhur të gjitha çështjet pa humbur demokracinë, ky do të ishte një opsion shumë më i mirë.
“Serbia po paguan një çmim të madh sepse na është hequr demokracia, sepse na janë shkatërruar institucionet, ky është çmimi që kemi paguar para së gjithash, jo për shkak të Kosovës apo gjërave tjera”, vlerëson Milenkoviq.
Por i pyetur se pse kisha hesht për marrëveshjen, ai shprehet se në përgjithësi ka heshtur që nga ardhja e të pestëve, “dhe për mua kjo heshtje mund të nënkuptojë vetëm miratim, sepse kisha është i vetmi aktor politik që mund të shkaktojë probleme serioze për Vuçiqin nëse kundërshtojnë ndonjë marrëveshje”./FolDrejt/