Lojtarët e Barcelonës mposhtën Real Madridin me rezultat 3:1 në finalen e Superkupës së Spanjës për herë të 14-të.
Barça festoi në Riad në stadiumin King Fahd para 60,000 njerëzve. Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ishte i zhgënjyer pas ndeshjes.
“Kjo lojë nuk do të na thyejë. Ne duhet të mësojmë prej saj. Edhe para ndeshjes e dinim që skuadra nuk ishte në gjendjen më të mirë. Kemi disa mangësi që duhet t’i përmirësojmë. Duhet të kthehemi më mirë kundër Villarrealit”, tha Ancelotti dhe vazhdoi:
“I kemi dhuruar dy golat e parë. Ndeshja nisi në mënyrë të barabartë, pa ritëm të vërtetë. Kur morën epërsinë, fituan besim. Ajo për të cilën duhet të punojmë është që të mos u japim më gola kundërshtarëve dhe të luajmë si ekip”.
Gazetarët e pyetën Ancelottin nëse ky 3:1 ishte një poshtërim për Realin.
“Do të ishte mungesë respekti të thuash diçka të tillë. Ne humbëm nga Barcelona. I mundëm në kampionat dhe sonte ishin më të mirë. Ata e merituan fitoren dhe pikë. Është e vërtetë që skuadra nuk është në formën më të mirë. Ne kemi cilësinë për të qenë konkurrues. Kjo disfatë dhemb shumë sepse Reali është një ekip që zakonisht fiton në finale. Por sezoni është i gjatë dhe ne do të luajmë deri në fund. Nuk më shkon kurrë në mendje të flas për poshtërim. Në sport, ndonjëherë fiton, dhe ndonjëherë mundesh. Ekipi është i lënduar, keq. Reali do të kthehet, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, përfundoi Ancelotti, transmeton Fol Drejt.