Federata braziliane e futbollit është në kërkim të një trajneri të ri që duhet të zëvendësojë Titen në stolin e kombëtares pas zhgënjimit që pësuan në Katar nën drejtimin e tij.
Brazilianët ishin favoritët e Botërorit, por në çerekfinale humbën me penallti nga Kroacia, edhe pse deri në minutën e 117-të ishin në avantazh 1:0.
Mediat spanjolle kanë shkruar prej kohësh për faktin se persona nga liga braziliane kanë qenë në kontakt me Ancelottin. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i Realit sot në konferencën për shtyp para ndeshjes së së dielës kundër Valladolidit në kuadër të xhiros së 27-të të kampionatit spanjoll.
“Po, është e vërtetë që kombëtarja braziliane më dëshiron dhe kjo më gëzoi. Jam shumë i lumtur për këtë. Por në të njëjtën kohë dua të përmbush detyrimin tim ndaj Real Madridit, të cilin e dua shumë. Nuk mund të them tani nëse do të tërhiqem pas karrierës sime në Real. Do të jem këtu për aq kohë sa ata më duan”, tha Ancelotti.
Trajneri italian erdhi në Santiago Bernabeu në vitin 2021 dhe në mandatin e tij të dytë në pankinën e klubit madrilien fitoi titullin në kampionatin spanjoll dhe Champions League. Në mandatin e tij të parë me Realin, ai fitoi Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2014. /FolDrejt/