Real Madridi mundi Chelsean 2:0 në ndeshjen e parë të çerekfinales në Madrid . Golashënues ishin Karim Benzema në minutën e 22-të dhe Marco Asensio në minutën e 75-të. Chelsea luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 59-të, pasi Ben Chilwell u përjashtua për një faull kur ai ishte lojtari i fundit në mbrojtje.
Reali me këtë fitore iu afrua gjysmëfinales së Champions Leagues. Reali që në fillim ishte dominues, më i mirë dhe më i rrezikshëm se Chelsea, andaj skuadra londineze duke pasur parasysh atë që u pa, mund të kishte pësuar edhe më shumë.
“Asgjë nuk ka përfunduar ende. Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të bëjmë gjithçka përsëri në Stamford Bridge. Në Londër na pret një 90 minuta e vështirë. Të harrojmë këtë rezultat, duhet të luftojmë javën tjetër. Jam i kënaqur, por mund të bëjmë edhe më mirë. Ne ishim pak të lodhur në pjesën e dytë”, tha trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
“Megjithatë, do të gënjeja nëse do të thoja se nuk jam i kënaqur. Kemi luajtur një lojë të plotë. Ka qenë e vështirë, ndonjëherë kemi vuajtur, por kemi shënuar dy gola. E dimë se do të vuajmë sërish të martën. Chelsea është një ekip i madh”, shtoi ai.
“Vinicius luajti në mënyrë fantastike, por një lojtar ishte edhe më i mirë. Sipas mendimit tim, Fede Valverde ishte lojtari më i mirë në fushë. Militao dhe Alaba ishin shumë të mirë. Ata ishin vazhdimisht me Sterlingun dhe Joao Felixin dhe luajtën një lojë të mirë”.
“Unë e njoh mirë futbollin. Lojtarët e mi e kuptojnë se kanë mbetur edhe 90 minuta. Do të jetë e vështirë dhe ne duhet të jemi gati. Kam kujtime të shkëlqyera nga Frank Lampard. Lojtar fantastik. Shpresoj se ai do të jetë gjithashtu një menaxher fantastik për Chelsean. Por jo domosdoshmërisht të martën”, përfundoi trajneri italian, transmeton Fol Drejt.