Gjysma nga 12 anëtarët aktualë dhe ish-anëtarë evropianë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkuan t’i jepet fund dhunës izraelito-palestineze.
“Jemi duke ndjekur me shqetësim të thellë tensionet në rritje, përfshirë ato në Kudsin Lindor, ku u zhvilluan përleshjet e fundit në vendet e shenjta. I bëjmë jehonë thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm për qetësi dhe ulje tensionesh. Dhuna duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në deklaratën e lëshuar gojarisht nga Shqipëria, Norvegjia, Franca, Estonia dhe Irlanda, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Dënojmë të gjitha aktet e terrorizmit dhe hedhjen e raketave nga Gaza në jug të Izraelit. Situata e përkeqësuar e sigurisë thekson nevojën e rivendosjes së horizontit politik për një proces të besueshëm paqeje”, shtuan ata.
Apeli erdhi pasi Këshilli u mblodh me dyer të mbyllura për të diskutuar trazirat e vazhdueshme në Kuds. Tensionet janë rritur në territoret palestineze që nga fillimi i prillit, mes fushatave të përsëritura të arrestimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Dhjetëra palestinezë u plagosën të premten në përleshjet me forcat izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kuds.
Inkursionet e përditshme të kolonëve në vend për të festuar festën njëjavore të Pashkëve hebreje e kanë ndezur më tej situatën.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se aty ndodheshin dy tempuj hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, lëvizje kjo që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./FolDrejt/