Gjykata e Lartë e Rusisë e ka cilësuar regjimentin Azov – një ish-batalion vullnetarësh që ishte përfshirë në ushtrinë e Ukrainës – një organizatë terroriste, duke lejuar dënime të gjata me burg për anëtarët e saj.
Të martën, gjykata vendosi të “njohë njësinë paraushtarake ukrainase Azov një organizatë terroriste dhe të ndalojë aktivitetet e saj në territorin e Federatës Ruse”, tha gjykatësi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Sipas kodit penal të Rusisë, anëtarët e grupeve “terroriste” mund të përballen me deri në 10 vjet burg, ndërsa drejtuesit dhe organizatorët e tyre mund të dënohen deri në 20 vjet, shkruan The Guardian.
Regjimenti Azov i Ukrainës ka shkaktuar polemika për lidhjet e tij me figurat e ekstremit të djathtë, me Rusinë që e quan atë një grup neo-nazist.
Batalioni u inkorporua zyrtarisht në gardën kombëtare të Ukrainës në vitin 2014, pasi ndihmoi në luftimin e separatistëve të mbështetur nga Kremlini në Ukrainën lindore.
Luftëtarët e Azov kanë luftuar së bashku me trupat ukrainase për të zmbrapsur ofensivën e Rusisë në Ukrainë që Moska filloi në shkurt.
Në maj, ushtarët ukrainas, duke përfshirë anëtarët e Azov, i dhanë fund një rrethimi të fabrikës së madhe të çelikut Azovstal në qytetin port të Ukrainës, Mariupol, duke rënë dakord të dorëzoheshin.
Rreth 2,500 njerëz u kapën nga forcat e Moskës pasi ndaluan rezistencën e tyre. /abcnews.al/