Ministrat e Energjisë të vendeve anëtare të BE-së arritën marrëveshje politike për reduktimin e kërkesës për gaz në bllokun evropian pasi Rusia kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet.
Ministrat e Energjisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) arritën sot marrëveshje politike për reduktimin e kërkesës për gaz në bllokun evropian pasi Rusia kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ky nuk ishte një mision i pamundur!. Ministrat kanë arritur marrëveshje politike për reduktimin e kërkesës për gaz përpara dimrit të ardhshëm”, njoftoi pas takimit qeveria çeke në Twitter, e cila mori kryesimin e radhës të Këshillit të BE-së.
Ministrat e Energjisë u mblodhën për të diskutuar planin e emergjencës dimërore të Komisionit Evropian, i cili u kërkon vendeve anëtare të BE-së të ulin kërkesën për gaz natyror me 15 për qind midis gushtit dhe marsit, mes frikës se Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz në përgjigje të sanksioneve të bllokut evropian për shkak të luftës ruse në Ukrainë
Sipas propozimit, masa do të lejojë vendet anëtare të BE-së të mbushin depozitat e tyre nëntokësore të gazit, të cilat tani janë në 66 për qind dhe gjithashtu do të ngushtojë hendekun e ardhshëm midis ofertës dhe kërkesës për të shmangur mungesat gjatë dimrit.
BE-ja ka vendosur shtatë pako sanksionesh ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës së vendit kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Pakot e sanksioneve të BE-së synojnë, ndër të tjera, presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov dhe ndalojnë importin e arit, naftës dhe qymyrit dhe eksportin e mallrave luksoze si dhe përjashtojnë bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit ndërkombëtar të pagesave SWIFT./FolDrejt/