Qytetarët në Angli sot janë nisur drejt qendrave të votimit për të votuar në zgjedhjet lokale për më shumë se dy të tretat e Këshillave angleze.
Më shumë se 8.000 vende janë në garë për 230 këshilla në të gjithë Anglinë, duke përjashtuar Londrën dhe disa rajone perëndimore, të cilat mbajtën zgjedhje në vitin 2022, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Të gjithë të rriturit e moshës 18-vjeç e lart dhe që janë shtetas britanikë, qytetarë rezidentë të Bashkimit Evropian (BE) ose “qytetarë të kualifikuar të Commonwealthit”, mund të votojnë në zgjedhjet lokale.
Sipas Ligjit Zgjedhor 2022 që hyri në fuqi, për herë të parë në Angli, qytetarët do të duhet të tregojnë një ID me foto për të votuar personalisht përpara se të mund të hedhin votën e tyre.
Të gjitha vendet do të jenë në garë në nëntë bashkitë metropolitane, përfshirë qytetet Liverpool dhe Wolverhampton, 32 pushtete unitare, me qytetet si Nottingham, Derby dhe York si dhe 105 këshilla rrethesh në pjesën më të madhe të juglindjes, lindjes dhe pjesës qendrore.
Ndërkohë, një e treta e vendeve do të jenë në garë në 14 pushtete unitare, 23 bashki metropolitane dhe 47 këshilla rrethesh.
Pas zgjedhjeve lokale të majit 2022, Partia Konservatore mbajti 37 për qind të të gjitha vendeve të Këshillit në Angli, 2 për qind më pak nga viti 2021 ndërsa Partia Laburiste fitoi 31 për qind. Pothuajse nuk pati ndryshim nga një vit më parë dhe Liberal Demokratët fituan 14 për qind.
Konservatorët kanë mbajtur pjesën më të madhe të vendeve të Këshillit në Angli që nga viti 2003.
Zgjedhjet përqendrohen në “Murin e kuq” në zonat e mesme dhe në veri të Anglisë, të cilat njihen si bastione laburiste që mbështetën Brexit-in dhe u fituan nga konservatorët në zgjedhjet e 2017 dhe 2019 si dhe vendet e “Murit të kaltër” në jug.
Më 18 maj, do të zhvillohen zgjedhjet për të gjitha 462 vendet në të 11 pushtetet lokale në Irlandën e Veriut./FolDrejt/