Kandidatët për mësimdhënës në Mitrovicë, pretendojnë se konkursi është përcjellur me parregullësi. Sipas tyre, Drejtoria e Arsimit, ka bërë shkelje ligjore, derisa në emrat që janë publikuar, një numër i konsiderueshëm i tyre thonë se lidhen direkt apo indirekt me drejtoreshën, Drita Kadriu.
Jahir Sumici, që përfaqëson rreth 50 aplikantë të pakënaqur, thotë se kanë evidentuar raste të uljes së qëllimshme të pikëve te disa kandidatë.
Akuzat mohohen nga drejtoresha, sipas së cilës, DKA nuk ka pasur ndikim në emrat e përzgjedhur.
Kadriu i tha Klanit se ka respektuar ligjin, e madje për herë të parë është duke u zbatuar Ligji për Zyrtarët Publikë, megjithëse, sipas saj, i njejti nuk është i përshtatshëm për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për mësimdhënës, meqë merr më shumë se tre muaj kohë nga inicimi i konkursit, deri te rekrutimi i stafit.
Deri më tash, kandidatët nuk janë ankuar zyrtarisht, derisa thonë se janë në pritje të rezultateve edhe për shkollat e mesme, e më pas të gjithë bashkë të ndjekin procedurat ligjore.