Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj ankesave dhe adresimeve në forma të ndryshme për shkelje procedurale dhe përmbajtësore nga kandidatët e konkurseve për staf akademik në Universitetin e Prishtinës.
Siç njofton ministrja Nagavci, MASHT-i ka kërkuar që pretendimet të trajtohen me profesionalizëm dhe paanshmëri nga mekanizmat e brendshme të Universitetit.
“Pa u ndalur në detaje dhe raste specifike, i marrim me shqetësim pretendimet e kandidatëve me kredenciale të larta akademike dhe profesionale, me numër të madh të publikimeve në revista të indeksuara ndërkombëtare, numër të madh të citimeve dhe me “H-faktor” shumë të lartë, e të cilët rezulton se nuk janë përzgjedhur nga strukturat e brendshme të UP-së në konkursin e fundit. Presim që këto raste të trajtohen me kujdes, në mënyrë meritore dhe me transparencë të plotë nga organet e UP-së, dhe të adresohen nga komisione të kualifikuara, me kredenciale akademike dhe kredibilitet për të trajtuar ankesat e parashtruara.
MAShTI është në pritje të reflektimit dhe trajtimit nga mekanizmat adekuat brenda institucional të cilët do të trajtojnë këto ankesa me seriozitet dhe profesionalizëm të lartë, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare. Bashkëpunimi ministri-universitet është i lidhur ngushtë me zbatimin e akteve ligjore dhe rregullativave të brendshme, prandaj edhe reflektimi mbi këto ankesa mbetet i domosdoshëm.”, ka thënë Nagavci.
“Në drejtim të përmirësimit të praktikave të instaluara, besojmë se me Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës do të rregullohet sistemi i rekrutimit të stafit në bazë të meritokracisë, do të hapet për kuadro elitare, do të ndalohen praktikat e nepotizmit dhe do hapen mundësitë për angazhim pa pengesa të stafit akademik nga mërgata jonë.
MAShTI inkurajon të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës që të hapen, duke mundësuar kështu rekrutim të jashtëm të personave të kualifikuar dhe të cilët janë të interesuar të kontribuojnë në sistemin e arsimit të lartë. Rekrutimi i stafit akademik bazuar në meritokraci mundëson garë të brendshme, rritë numrin e publikimeve shkencore dhe cilësinë e mësimnxënies, duke garantuar kështu arritje të rezultateve të të nxënit dhe avancim të performancës së institucioneve.”, ka shtuar ajo më tej./FolDrejt/