Në vitin e parë të luftës, evropianët vazhdojnë të mbështesin sigurimin e ndihmave humanitare, financiare dhe ushtarake për Ukrainën, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas një anketimi nga “Eurobarometer Pranverë 2022” të realizuar për Parlamentin Evropian (PE), 91 për qind e evropianëve mbështesin sigurimin e ndihmave humanitare ndërsa 88 për qind pranimin në Bashkimin Evropian (BE) të njerëzve që largohen nga lufta.
Teksa 77 për qind e tyre kanë mbështetur sigurimin e mbështetjes financiare për Ukrainën, 74 për qind kanë mbështetur zbatimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.
Po ashtu 65 për qind e evropianëve vazhdojnë të jenë pro që BE-ja të financojë furnizimin dhe blerjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën.
Në anketim 80 për qind e pjesëmarrësve mendojnë se vendet anëtare duhet të koordinojnë më mirë blerjen e pajisjeve ushtarake ndërsa 69 për qind mendojnë se BE-ja duhet të forcojë kapacitetin e saj të prodhimit të pajisjeve ushtarake.
Ndërkohë 56 për qind e qytetarëve janë në përgjithësi të kënaqur për reagimin e dhënë nga BE-ja kundër pushtimit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Mbështetje të lartë për transformimin e energjisë
Në anketim 84 për qind e qytetarëve të BE-së kanë të njëjtin mendim se BE-ja duhet të shpëtojë sa më parë nga varësia ndaj burimeve ruse të energjisë.
Gjithashtu 86 për qind mendojnë se BE-ja duhet të mbështesë transformimin për kalimin në energjinë e gjelbër duke bërë investime të mëdha në energjitë e rinovueshme.
Vazhdojnë shqetësimet lidhur me inflacionin dhe ekonominë
Qytetarët e BE-së e shohin inflacionin si një nga problemet më të rëndësishme me të cilin përballet Unioni.
Ndërkohë 40 për qind e evropianëve e vlerësojnë situatën ekonomike të Unionit si “të mirë” dhe 51 për qind e tyre “të keqe”.
Norma e atyre që e shohin situatën e vendit të tyre si të keqe është 63 për qind.
Pavarësisht kësaj, qytetarët e kanë mbështetur monedhën e përbashkët euro me 71 për qind./FolDrejt/