Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe ministrin e Jashtëm izraelit, Yair Palid lidhur me ngjarjet e dhunshme dhe tensionet në rritje në Gaza, Kuds dhe Bregun Perëndimor nën pushtim pas ndërhyrjes së Izraelit ndaj muslimanëve në Xhaminë Al-Aksa.
Zëdhënësi i Departamentit të SHBA-së, Ned Price tha se Blinken zhvilloi biseda të ndara telefonike me presidentin Abbas dhe ministrin e Jashtëm Lapid, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Price vuri në dukje se Blinken ka diskutuar me Abbas dhe Lapid tensionet në rritje dhe ngjarjet e dhunshme së fundmi në Bregun Perëndimor, në Haram-i- Sharif (Xhaminë Al-Aksa) në Kuds dhe në Gaza.
Në lidhje me bisedën e zhvilluar me Abbas, në njoftimin e tij Price tha se “Sekretari Blinken theksoi rëndësinë e punimeve të palestinezëve dhe izraelitëve për t‘i dhënë fund ciklit të dhunës duke u distancuar nga veprimet dhe retorikat që përshkallëzojnë tensionet. Gjithashtu ka përsëritur angazhimin e SHBA-së për të përmirësuar cilësinë e jetës së popullit palestinez në mënyra konkrete dhe mbështetjen që SHBA-ja ka dhënë për një zgjidhje të negociuar me dy shtete”.
Lidhur me bisedën e sekretarit Blinken me Lapid, zëdhënësi Price vuri në dukje se palët kanë tërhequr vëmendjen mbi “rëndësinë e punimeve për sjellje të kujdesshme dhe distancimin nga veprimet që do të shqetësojnë të tjerët”.
Gjithashtu u diskutuan hapat e ndërmarrë nga Izraeli për të siguruar maturi, tha Price.
“Dy ministrat biseduan për përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me vështirësitë globale, përfshirë Iranin. Blinken ka përsëritur angazhimin e palëkundur të SHBA-së për sigurinë e Izraelit dhe ka dënuar sulmet me raketa të kryera së fundmi nga Gaza. Po ashtu ka theksuar mbështetjen që SHBA-ja jep për një zgjidhje të negociuar me dy shtete”, tha Price./FolDrejt/