Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero deklaron se java që vjen do të jetë vendimtare për Shqipërinë dhe mënyrën sesi e gjithë popullata do të sillet, në mënyrë që koronavirusi të mos përhapet më tutje.
Në një lidhje live me News24, Pipero vuri në dukje se numri i rasteve këtë të dielë është shtuar ndjeshëm dhe nëse qytetarët vijojnë të mos marrin parasysh rregullat për t’u mbrojtur nga covid-19, atëherë shanset janë reale, Shqipëria mund të katandiset ashtu siç Italia.
“Pas cdo rasti të konfirmuar fshihen 10 apo 15 raste të tjera. Në këtë situatë pandemie dhe shtimit të rasteve të prekura iu kërkojmë qytetarëve të jenë mirëkuptues dhe të ndjekin udhëzimet e qeverisë. Ne mjekët shohim vetëm majën e ajsbergut, ndërkohë që ISHP ndjek rastet e kontaktit, ne mjekojmë rastet që na vijnë. Java që nis është decizive për të parë edhe numrat edhe për të parë efektshmërinë e masva të marra. E përsëris, nga ky virus askush nuk është i paprekshëm, pavarësisht se dikush ka apo nuk ka komplikacione. Numri i rasteve është dyfishuar në një ditë, pra sa më shumë të mos zbatojmë masat aq më shumë shtohen të prekurit.
“Minimalisht të qëndrojnë në shtëpi është shumë pak për të fituar shumë jetë njerëzish. Nesër do të jetë shumë vonë. Nesër i afrohemi një hap më shumë skenarit italian, por nëse qytetarët nuk na dëgjojnë, nuk kam c’tju them më pastaj: Zoti na ruajtë…”, -tha Pipero.